Pas identifikimit të një rasti me meningjit në Durrës, ku pacienti ishte një 14-vjeçar, prindërit kanë refuzuar të çojnë fëmijët e tyre në shkollë. Situata ka shkaktuar panik, veçanërisht pasi ky është rasti i dytë në pak muaj në të njëjtin qytet. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe Ministria e Shëndetësisë kanë reaguar për të qetësuar situatën, duke deklaruar se janë marrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e infeksionit.
Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini, sqaroi se është identifikuar vetëm një rast me meningjit dhe se nuk ka vend për panik. “Janë ndjekur të gjitha protokollet dhe zinxhiri i transmetimit është ndërprerë. Të gjithë kontaktet e rastit, përfshirë mësuesit, nxënësit dhe personelin shëndetësor, kanë marrë profilaksi me antibiotikë,” tha Tomini për mediat.
Ajo bëri thirrje që prindërit të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore nëse fëmijët shfaqin simptoma si temperaturë e lartë, dhimbje koke, ngurtësim i muskujve të qafës, të përziera, të vjella apo shenja të kuqërremta në lëkurë.
Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, deklaroi se janë kryer të gjitha analizat dhe ka nisur trajtimi i të gjithë personave që kanë pasur kontakt me të infektuarin. “Duhet të jemi vigjilentë, por pa panik. Kapja në kohë e rasteve është kyçe për parandalimin e komplikacioneve,” u shpreh ministrja.
Sipas saj, investimet e fundit në kapacitetet laboratorike të ISHP-së do të ndihmojnë në përmirësimin e diagnostikimit të sëmundjeve infektive, duke përmendur ndërtimin e laboratorëve të rinj në një godinë të re të financuar nga buxheti i shtetit me vlerë 5 milionë euro.
Në shkollat “Eftali Koçi” dhe “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës, një numër i madh prindërish refuzojnë për të tretën ditë radhazi të çojnë fëmijët e tyre në shkollë. Disa prindër kanë kërkuar rikthimin e mësimit online për të garantuar sigurinë e fëmijëve, ndërsa të tjerë kanë kërkuar më shumë informacion mbi burimin e infeksionit.
Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Durrës është duke ndjekur situatën, ndërkohë që kërkesa për vaksinën kundër meningjitit bakterial është rritur ndjeshëm, duke lënë depot e barnave bosh si në Durrës ashtu edhe në Tiranë.
Çfarë është meningjiti dhe cilat janë simptomat?
Meningjiti është një infeksion i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore. Simptomat e tij përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, ngurtësim të qafës, përgjumje, konfuzion dhe ndonjëherë pulla të kuqërremta në lëkurë.
Meningjiti bakterial është më i rrallë, por shumë më serioz se ai viral dhe kërkon trajtim të menjëhershëm për të parandaluar komplikacione të rënda si humbja e dëgjimit, dëmtimet neurologjike apo humbja e jetës.
Në këtë fazë, ISHP ka rekomanduar që vaksinimi të merret parasysh në bazë të incidencës së rasteve, ashtu siç u bë me vaksinën HPV për kancerin e qafës së mitrës. Ndërkohë, institucionet shëndetësore do të vijojnë monitorimin e situatës për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe komunitetit.