Panik në ajër! 23-vjeçari shqiptar tenton të hapë derën e avionit, SkyWest detyrohet të bëjë ulje emergjente
Një ngjarje shqetësuese ndodhi të enjten në mbrëmje gjatë një fluturimi të kompanisë SkyWest me destinacion Detroit, kur një 23-vjeçar shqiptar, Mario Nikprelaj, u bë agresiv ndaj ekuipazhit dhe tentoi të hapte derën e emergjencës gjatë fluturimit.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni SkyWest 3612 u nis nga Omaha në orën 17:30 (me orën lokale), por u detyrua të bëjë ulje emergjente në Cedar Rapids, pasi u raportua një “prishje e rëndë e rendit” nga një pasagjer.
Në avion ndodheshin 67 pasagjerë. Sipas deklaratave, Nikprelaj, me profesion kuzhinier dhe me origjinë shqiptare, filloi të konfliktohej verbal dhe fizikisht me një stjuardesë, injoroi urdhrat për sigurinë dhe më pas u përpoq të hapte derën e emergjencës në mes të fluturimit.
Një nga pasagjerët, J. Spencer, tregoi në platformën X se incidenti kishte nisur që në momentin e hipjes në bord. “U desh të devijonim në Cedar Rapids sepse ky njeri vendosi të hapte derën e emergjencës dhe më pas u përlesh me ekuipazhin dhe pasagjerë të tjerë,” shkroi ai.
Nikprelaj ishte ulur pranë derës së emergjencës dhe që në fillim kishte shfaqur sjellje të çrregullta, duke refuzuar të mbante rripin e sigurimit dhe duke përdorur pa pushim butonin e thirrjes.
Piloti u detyrua të njoftojë kontrollin ajror për një situatë emergjente dhe të ndryshojë destinacion, duke ulur avionin në Aeroportin e Iowa-s Lindore rreth orës 18:30. Në momentin e uljes, Nikprelaj u arrestua nga autoritetet lokale.
Sipas Policisë së Cedar Rapids, ndaj tij janë ngritur disa akuza:
-prishje e rendit publik
-sulm fizik
-posedim i paligjshëm i ilaçeve me recetë
-shkelje e ligjit për substancat e kontrolluara
-ngacmim në shkallë të parë
Policia nuk përjashton mundësinë për akuza të tjera federale, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprimeve të tij.
Kjo nuk është përplasja e parë e Nikprelajt me ligjin. Në shkurt të vitit 2020, ai ishte arrestuar për sulm ndaj të dashurës së tij dhe për vjedhjen e një borëpastrueseje në Detroit, mjet që u gjet shpejt falë sistemit GPS.