Në ceremoninë tradicionale të mbajtur në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve, Enkel Demi, që prezantohet në veprat e tij si Tom Kuka u shpall autori më i mirë për romanin “I rënë nga qielli”, që trajton temën e mprehtë të tranzicionit shqiptar.
Çmimi i përkthyesit më të mirë të vitit shkoi për Milena Selimin me “Kohëstrehim” të autorit bullgar Georgi Gospodinov. Shkrimtarja dhe përkthyesja është përfaqësuese e bullgarëve në Komitetin për Pakicat Kombëtare në Shqipëri dhe vazhdimisht promovon kulturën dhe traditat bullgare.
Lindita Gjetani mori çmim për përkthimin më të mirë në frëngjisht për veprën “Mirupafshim atje lart”
Vepra më e mirë studimore në fushën e filologjisë u zgjodh Baladë dritash për Zorbën të Viola Isufajt, një biografi që zbërthen figurën e poetit Zef Zorba.
Ndërsa Anastas Angjeli u vlerësua si autori më i mirë studimor në shkencat ekonomike.
Juria e këtij edicioni përbëhej nga gazetarja Anisa Ymeri, publicisti Ben Andoni, përkthyesi Ilir Baçi, poetja Ledia Dushi dhe studiuesja e letërsisë Lili Sula.