Taksat e reja duhet të orientohen drejt pasurisë, dhe nuk duhet të rëndojnë qytetarët apo profesionistët e lirë. Ky është sugjerimi që bëjnë ekspertët në prag të hartimit të paketës së re fiskale, ku theksohet edhe domosdoshmëria për të hequr favorizimet e bëra në tatime për fusha të ndryshme të ekonomisë.
Për ndryshimet e reja në taksa që pritet të jenë pjesë e paketës fiskale për vitin 2024, ekspertët thonë se fokusi duhet të jetë tek barazia në taksim dhe tek eliminimi i favorizimeve të bëra në sektorë të ekonomisë, si në rastin e turizmit.
“Qeveria duhet të rishikojë me një optikë shumë të kujdesshme privilegjet që ju ka dhënë investitorëve, deri tek resortet turistike, pasi mendoj që është keqpërdorur ky instrument inkurajimi duke mos bërë as investimet. Përjashtimet fiskale që u janë ofruar hoteleve me 5 yje apo kazinove nuk kanë asnjë impakt në shtimin e të ardhurave apo rritjen e punësimit, për më tepër që janë përdorur si instrument për të kanalizuar devijime të tjera nga detyrimet fiskale”, thotë Preçi.
Teksa kritikon vendimin e qeverisë për të taksuar me 15-23% profesionistët e lirë, Preçi thotë se duhet taksuar kapitali.
“Sa i takon politikës fiskale, mendoj se duhet të ketë një riorientim të taksave drejt kapitalit dhe lehtësim i taksave drejt punës. Shoh një zhbalancim që për fat të keq dekurajon pjesët më aktive më produktive të shoqërisë për të qenë produktiv, pasi janë rritur në mënyrë të pakontrolluar taksat, duke pasur parasysh profesionet e lira, që duhet të përfshiheshin në sistem por jo duke i ndëshkuar”, thotë eksperti.
Taksimi i kapitalit prej vitesh propozohet nga deputeti socialist Erion Braçe, por që deri më tani nuk ka marrë dritën jeshile nga qeveria.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar Ministrisë së Financave për këtë çështje, nuk mohohet mundësia e taksimit të kapitalit (pasurisë), por theksohet se ndryshimet e reja fiskale do të eliminojnë favorizimet e bëra për sektor të ndryshëm të ekonomisë.