Pak orë para heshtjes zgjedhore, Presidenti Begaj apel qytetarëve: Ushtroni të drejtën tuaj për të votuar, 11 Majin kthejeni në ditë feste
Kur kanë mbetur pak orë nga heshtja zgjedhore, Presidenti i vendit, Bajram Begaj, iu është drejtuar me një mesazh qytetarëve për të marrë pjesë në votimet e 11 majit për kreun e qeverisë.
Presidenti Begaj u bëri thirrje të ushtrojnë të drejtën për të votuar ditën e dielë “me përgjegjësi dhe dinjitet”.
Ai thekson se zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm ushtrim demokracie, por edhe një test i rëndësishëm pjekurie politike për qytetarët dhe faktorin politik.
Mesazhi i Bajram Begajt:
Të dashur qytetarë,
11 maji është një ditë e veçantë për secilin prej jush. Në këtë ditë ju keni mundësinë dhe të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen tuaj, të familjes dhe të Shqipërisë sonë të përbashkët.
Institucionet kanë një detyrim të qartë dhe të panegociueshëm: të garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të qeta. Vetëm përmes një procesi zgjedhor të ndershëm dhe të besueshëm ndërtohet besimi i qytetarëve te shteti, tek institucioni i votës dhe te vetë e ardhmja demokratike e vendit tonë.
Unë besoj thellësisht se populli shqiptar meriton më të mirën. Meritoni një proces zgjedhor që përfaqëson vullnetin tuaj të lirë, që respekton ligjin dhe që i shërben vetëm interesit publik.
Zgjedhjet e 11 majit nuk janë vetëm ushtrim demokracie, por janë test i rëndësishëm pjekurie politike për qytetarët dhe faktorin politik.
Ndaj, si përfaqësuesi juaj, ju kërkoj me zemër që 11 majin ta ktheni në ditë feste dhe angazhimi qytetar në emër të demokracisë dhe të shpresës për të ardhmen. Vota është zëri juaj. Përdoreni me dinjitet, sepse përmes saj ju merrni në dorë fatin tuaj dhe të brezave që do të vijnë.
Pavarësisht sfidave që mund të hasim, unë kam besim se ne mund dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar, të palëkundur në përkushtimin tonë për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike.