Pak orë nga dorëzimi i listave, nis mbledhja e Kryesisë së PS – Rama në selinë rozë

Partia Socialiste ka nisur mbledhjen e Kryesisë, vetëm pak orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në selinë e PS, ku po zhvillohet takimi vendimtar për përzgjedhjen e emrave që do të garojnë në këto zgjedhje.

Sipas formulës së re, 12 drejtuesit politikë do të lexojnë një e nga një listat e skuadrave të tyre. Lista e mbyllur do të përfshijë drejtuesit politikë, gratë dhe të rinjtë, ndërsa pjesa tjetër e kandidatëve do të jetë në një garë të hapur mes tyre.

Ndërkohë, është konfirmuar se Petro Koçi nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë. Po ashtu, tre kryebashkiakë – ai i Burrelit, Tepelenës dhe Beratit – kanë dhënë dorëheqjen për t’iu bashkuar garës si kandidatë të Partisë Socialiste.

Rama ka nisur që në mesditë mbledhjet e veçanta me drejtuesit politikë të 12 qarqeve të vendit, ndërsa gjatë pasdites do të finalizohet lista përfundimtare. Dokumenti zyrtar pritet të dorëzohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) brenda afatit të mesnatës.