Paga mesatare arrin në nivele rekord, ndikimi nga administrata; Privati i rriti shumë më pak në 2023

Paga mesatare mujore rritet me ritme dyshifrore në fund të 2023, sipas raportimit më të fundit të INSTAT. Të dhënat tregojnë se, pagat në shtet u rritën me 18% në tremujorin e katërt në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa duket se sektori privat nuk arriti të ndjekë të njëjtat hapa me rritjen. Në sektorin privat pagat u rritën me 11.6%  për të njëjtën periudhë.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2023, është 75.025 lekë, duke u rritur me 13,7 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave nga Statistikat e Pagave, gjatë tremujorit të katërt 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.