Padia e Metës në Gjykatë, befason Kryemadhi

Ish presidenti i Republikës Ilir Meta, pas 26 vitesh martesë njoftoi te enjten se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

Zonja Kryemadhi i tha Zërit të Amerikës se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar zotin Meta në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.

Në mbrëmje, gjatë emisionit “Çim Peka live” në Syri.Tv, ish presidenti Meta, tha se zonja Kryemadhi “është tanimë ish bashkëshortja”, dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta.

Prej disa muajsh zoti Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes. Edhe në kërkesën për divorc, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre zonjën Kryemadhi. Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.

Ish presidenti nuk dha ndonjë shpjegim për arsyet e kërkesës për divorc, por la të kuptohej qartë se për të kishte qenë i papranueshëm qëndrimi i zonjës Kryemadhi ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një kohë që ajo “ishte në dijeni të gjithë veprimtarisë së SPAK-ut kundër bashkëshortit e të gjithë përpjekjeve për të shantazhuar persona të ndryshëm kundër Metës”, deklaroi ai duke shtuar se “Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”.