“Pa sutjena, pa provim” – Skandal në Nigeri, universiteti kontrollon studentet në gjoks përpara provimit

Një ngjarje që ka shkaktuar zemërim dhe reagime të forta në Nigeri ka ardhur pasi një video u bë virale në rrjetet sociale, duke treguar një situatë të papranueshme në një universitet. Në pamjet e filmuara në Universitetin Olabisi Onabanjo, në shtetin jugperëndimor të Ogunit, shihen punonjëse të institucionit që prekin studentet femra në gjoks, për të kontrolluar nëse ato mbanin sutjena përpara se të hynin në sallën e provimit.

Universiteti nuk ka reaguar ende zyrtarisht për ngjarjen, por një përfaqësues i unionit studentor e mbrojti rregullin, duke e cilësuar si pjesë të kodit të veshjes që synon të krijojë një ambient pa shpërqendrime. Megjithatë, ai pranoi se duhet të gjenden mënyra të tjera më të përshtatshme për të zbatuar këtë politikë, e cila është dënuar gjerësisht nga aktivistë për të drejtat e njeriut, të cilët e kanë quajtur atë të vjetruar, seksiste dhe të ngjashme me ngacmimin seksual.

“Prekjet e pajustifikuara në trupin e një personi përbëjnë shkelje dhe mund të çojnë në padi. Universiteti ka vepruar gabim duke përdorur këtë metodë për të frenuar veshjen e pahijshme”, deklaroi për BBC Haruna Ayagi, një përfaqësues i rrjetit të të drejtave të njeriut Human Rights Network.

Një studente, që preferoi të mbetet anonime, u shpreh se megjithëse universiteti nuk është një institucion fetar, ai ushtron një kontroll të rreptë mbi moralin dhe veshjen e studentëve. Ajo tregoi se veshja e tyre kontrollohet rregullisht.

Pas valës së kritikave, presidenti i unionit studentor të universitetit, Muizz Olatunji, tha se qëllimi i kodit të veshjes është të nxisë respekt dhe të sigurojë një mjedis pa shpërqendrime. Ai shtoi se politika nuk është e re dhe se unioni po bashkëpunon me drejtuesit e universitetit për të gjetur mënyra alternative për të adresuar çështjen e veshjes, duke respektuar dinjitetin e studentëve.

Në kodin e publikuar nga unioni studentor ndalohen të gjitha veshjet që mund të nxisin dëshirë seksuale në mënyrë të pahijshme tek të njëjtët ose gjinia e kundërt.

Universiteti Olabisi Onabanjo u themelua në vitin 1982 si Universiteti i Shtetit Ogun dhe mori emrin aktual në vitin 2001.