Pa asnjë masë sigurie dhe kushte teknike! A po rrezikon BinBin jetën e përdoruesve!?

Skuterët elektrikë të kompanisë BinBin, që janë shpërndarë në të gjithë qytetin e Tiranës, duket se nuk zbatojnë asnjë prej kritereve bazë të sigurisë.

LEXO EDHE: —> SKANDALI/ Skuterat e BinBin karikohen në shtyllën elektrike në mes të Tiranës! Bashkia dhe OSHE flenë gjumë apo i tremben kompanisë?

Këto mjete me dy rrota përdoren lirshëm, pa kufizim moshe, pa skafandra mbrojtëse dhe pa asnjë lloj pajisjeje sigurie, një situatë që pa mëdyshje mund konsiderohet si “rrezik publik”.

Përdorimi i skuterëve mundësohet thjesht përmes një aplikacioni celular, pa asnjë verifikim moshe të përdoruesit. Kjo ka sjellë raste ku fëmijë dhe të mitur janë parë duke lëvizur me to në rrugë të mbushura me trafik, shpesh në trotuare apo në kundërshtim me rregullat e qarkullimit.

Në një vëzhgim që ka bërë Replikë.al asnjë përdoruesi nuk i ofrohet të përdorë helmetë, mbrojtëse për bërryla, gjunjë apo veshje reflektuese, ndonëse rreziku i aksidenteve në rrugët e ngarkuara të Tiranës është i madh. Në mungesë të ligjeve specifike për këtë kategori mjetesh, kompania BinBin nuk mban përgjegjësi për sigurinë e përdoruesve të saj.

 

Përveç mungesës së rregullave të përdorimit, nuk ekziston një sistem kontrolli teknik për skuterët, dhe nuk është e qartë nëse ata inspektohen rregullisht për defekte apo probleme teknike siç mund të jenë problemet me frenat. Kompania operon në hapësira publike, por pa një kuadër të detajuar ligjor që përcakton detyrimet e saj ndaj qytetarëve.

Si duket kjo kompani i di shkeljet që bën pasi në faqen e sajë zyrtare skuterat i reklamon me skafanda dhe kaska mbrojtëse, por në Shqipëri nuk zbaton një gjë të tillë. Duket se propaganda i shërben vetëm në rrjete sociale.

Përkundër rrezikut në rritje, as Bashkia e Tiranës, as Ministria e Infrastrukturës, dhe as Policia Rrugore nuk kanë ndërmarrë hapa për të rregulluar përdorimin e skuterëve elektrikë në rrugët e qytetit. Mungesa e reagimit institucional lë të kuptohet se operimi i kompanive si BinBin po zhvillohet me një “imunitet të heshtur”.

A do të duhet një aksident serioz për të zgjuar reagimin institucional?

Ndërkohë që qytetet moderne po i përqafojnë mjetet alternative të lëvizjes, standardet e sigurisë nuk mund të neglizhohen. Liria për të lëvizur nuk mund të vijë në kurriz të jetës dhe shëndetit publik. Në mungesë të rregullove, përdorimi i skuterëve të tillë mbetet një rrezik i hapur në rrugët e Tiranës.