Osmani në Hungari: Nuk e shoh Trumpin kërcënim, ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet, të lirë kur ishin demokratët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është për vizitë në Hungari në Samitin e Komunitetit Politik të Evropës.

Ajo para fillimit të samitit theksoi se beson fuqishëm që do të vazhdojë bashkëpunimi ndërmjet Evropës dhe SHBA-së edhe nën administratën e presidentit Donald Trump.

E para e shtetit të Kosovës është pyetur edhe lidhur me raportet Kosovë-SHBA, pas zgjedhjes së Trumpit president.
“Kosova e ka pasur mbështetjen dypartiake të secilës administratë të SHBA-së që në fillimet e viteve ’90. Jemi bekuar me atë mbështetje dhe për këtë kemi çdo arsye të besojmë se mbështetja do të vazhdojë edhe me administratën të presidentit Trump”, u shpreh presidentja.

Ajo tutje shtoi se nuk e sheh si kërcënim për Kosovën zgjedhjen e Trumpit president pasi Kosova gjithnjë ka pasur mbështetje si nga republikanët, po ashtu edhe demokratët.

“Nuk e shoh si kërcënim. Kosova, në fakt, ka përfituar për dekada nga një mbështetje dypartiake nga Shtetet e Bashkuara. Ne u bëmë të pavarur kur republikanët ishin në pushtet. Ne u bëmë të lirë kur demokratët ishin në pushtet… Ne kemi punuar shumë ngushtë me çdo administratë dhe besoj fuqimisht se do të vazhdojë të jetë kështu”, tha ajo.

Presidentja tutje duke folur për Samitin e Komunitetit Politik të Evropës tha se është një mundësi e mirë për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje për sfidat.