OSBE i dhuron SPAK pajisje kundër krimeve zgjedhore: Jo ndërhyrje më 11 maj! Dumani: I zbardhim në kohë
OSBE ka ndihmuar SPAK me pajisje që do të përdoren në mbarë vendin për të hetuar krimet zgjedhore. Dy ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës, kreu i SPAK tha se hetuesit do të ndjekin në kohë ndërhyrjet e paligjshme, ndërsa ambasadori i OSBE ishte besimplotë se angazhimi i prokurorëve të posaçëm do të frenojë ndërhyrjet.
“Forcojmë kapacitetet e Task-Forcës së SPAK-ut për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.
Prezenca e OSBE-së i dhuroi sot SPAK-ut 25 laptopë, 25 printera/skanera dhe aksesorë, që do të përdoren nga 13 grupet hetimore në terren si dhe nga struktura qendrore në Tiranë. Asistenca teknike do të pasohet nga trajnime për rritjen e kapaciteteve.
Në takimin e zhvilluar sot, ambasadori Michel Tarran dhe drejtuesi Altin Dumani theksuan rëndësinë e mekanizmave të fortë institucionalë për mbrojtjen e proceseve zgjedhore. Tarran përgëzoi SPAK-un për nismën dhe përkushtimin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet zgjedhore. Drejtuesi Dumani falënderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme dhe shtoi se pajisjet do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve të prokurorëve të posaçëm dhe hetuesve në evidentimin në kohë dhe ndjekjen efektive të krimeve zgjedhore.
Dhurimi i pajisjeve u bë i mundur si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Mbështetje për reformën dhe proceset zgjedhore në Shqipëri”, i cili financohet nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia” thuhet në njoftim.