Organizimi i Lojërave Mesdhetare/ Kurti: Jemi gati të investojmë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka cilësuar si lajm të jashtëzakonshëm faktin që Kosova ia doli ta fitojë organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.
Menjëherë pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Kurti tha për KosovaPress se Kosova do të punojë fuqishëm që të jetë gati për këtë kompeticion dhe të presin mijëra sportistë e sportdashës në Prishtinë.
“Kjo është tejet e rëndësishme për Kosovën, për sportin në Kosovë, por edhe për edhe më gjerë sepse Lojërat Medetirane i bëjnë bashkë shtetet e tri kontinenteve, të Evropës, Azisë dhe Afrikës dhe në vitin 2030 do të jemi plotësisht gati që të mirëpresim mijëra sportistë e mijëra të tjerë që janë sportdashës për këtë ngjarje të jashtëzakonshme për çfarë u organizua votimi sot këtu në Kretë të Greqisë”, tha Kurti
I pari i Qeverisë së Kosovës tha do të bashkëpunojnë ngushtë me Shqipërinë për organizim sa më të mirë të këtyre lojërave, derisa shtoi se linjat buxhetore tashmë janë bërë për këtë organizim.
“E kemi vullnetin, e kemi bërë buxhetimin në linja të përgjithshme por gjithashtu i kemi edhe të gjithë akterët në Kosovë dhe në raport me Shqipërinë plotësisht në një linjë meqenëse tani u ndryshua statuti në mënyrë që të bëhet e mundshme një shtet të bashkëpunoj edhe me një shtet tjetër kur i organizon Lojërat Mesdhetare…Nuk kam dyshim që ashtu si ia dolëm sot do të ia dalim edhe në përgatitjet drejtë vitit 2030”, theksoi Kurti.