Organizim i basteve online, “Bad Spin 2” arreston 6 persona, procedim penal pêr një 18-vjeçar

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Bad spin 2”.

Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte si dhe shtetas, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara (baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 6 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale: Ermal Çela 56-vjeç, Julian Çela 47-vjeç, Valter Hajdini 46-vjeç, Eno Flamuri 22-vjeç, Denis Rusheku 19-vjeç dhe Mario Mexhaj 21-vjeç.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi R. T., 18 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në një bar-kafe në administrim prej tij, janë gjetur 50 televizorë në kuti të pahapura, të markave të ndryshme, të dyshuar të kontrabanduar.

Televizorët së bashku me 6 aparate celulare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.