“Organizatat kriminale janë shtrirë kudo”/ Dumani me prokurorët e rajonit: Për t’i shpërbërë këto struktura beteja duhet të…

Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, ka dhënë një mesazh të fortë gjatë një takimi me prokurorë të vendeve të rajonit, ku theksoi se asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ai bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit dhe hetimeve të përbashkëta.

“Në ditët e sotme, asnjë vend i rajonit nuk mund t’i bëjë ballë i vetëm këtyre fenomeneve. Grupet apo organizatat kriminale janë të ndërlidhura, operacionet e tyre janë transnacionale dhe rrjetet e tyre janë shtrirë kudo. Një hetim që nis në një vend na çon drejt fakteve, të dyshuarve apo lëvizjes së parave në një vend tjetër,” u shpreh Dumani.

Ai nënvizoi se vetëm një luftë e përbashkët mund të sjellë sukses në shkatërrimin e këtyre strukturave kriminale që minojnë sigurinë dhe ekonomitë e vendeve të rajonit.

“Për t’i shpërbërë këto struktura duhet të veprojmë me vendosmëri jo vetëm brenda territorit, por edhe në mënyrë kolektive si pjesë e rajonit. Kjo do të thotë më shumë hetime të përbashkëta, më shumë shkëmbim informacioni dhe një front i përbashkët ndaj krimit të organizuar,” përfundoi kreu i SPAK.