Orë paniku për nënën dhe vajzën e mitur në Greqi/ Shqiptari kaloi kufirin ilegalisht, i shkoi në banesë, theu xhamat dhe tentoi të…

Ndërrimi i viteve ka qenë tronditës për një nënë dhe vajzën e saj 10 vjeçare, ku një baba shqiptar ka tentuar të hyjë me dhunë në shtëpinë e tyre.

Ish-burri hyri në Greqi ilegalisht, duke ecur në këmbë dhe kur mbërriti në shtëpi, theu xhamat për të hyrë nga dritarja e shtëpisë dhe kur nuk ka arritur, dëmtoi makinat e parkuara.

45-vjeçari u arrestua dhe ditën e djeshme doli para gjykatës pa avokat, duke pretenduar se përfaqësuesi i tij ligjor ndodhej në Larisa. Shqiptari kërkoi shtyrje të gjyqit, por kërkesa u refuzua.

Sipas dëshmisë së ish-bashkëshortes së tij, 45-vjeçari, në natën e ndërrimit të viteve, kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe ka thyer xhamat, duke tmerruar vajzën e tyre 10-vjeçare.

Kur ajo i ka kërkuar të largohet, i pandehuri ka hyrë në makinën e tij dhe ka përplasur dy automjete të parkuara, duke i shkaktuar dëme.

Kur u gjet nga autoritetet policore, 45-vjeçari i bëri rezistencë arrestimit dhe nuk pranoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

I akuzuari ka kërkuar falje në gjykatë dhe ka pranuar se kishte konsumuar alkool para se të shkonte në shtëpinë e ish-bashkëshortes. Ai ka pranuar gjithashtu se kishte hyrë ilegalisht në Greqi në këmbë, rreth 20 ditë më parë.

Arsyeja që i ka shkaktuar dëm shtëpisë së nënës së fëmijës së tij, sipas tij, ka qenë se ka dashur të festojë ditëlindjen e vajzës së tyre me ta, por ajo nuk e ka lënë.

Gjykata e shpalli fajtor 45-vjeçarin për hyrje të paligjshme në vend, dhunë në familje, dhunë ndaj punonjësve dhe refuzim për t’iu nënshtruar testit të alkoolit, duke e dënuar me 18 muaj burg, 3700 euro gjobë dhe heqjen e lejes së drejtimit për dy muaj.