“Opozita zbarkon përpara Kryeministrisë”/ Çfarë kërkojnë opozitarët? Pjesëmarrja e liderit demokrat dhe skenaret. Policia “blindon” kryeqytetin
Sot në orën 17:00 Partia Demokratike, së cilës do t’i bashkohen dhe eksponentë të partive opozitare të tjera do të bashkohen në protestë kundër qeverisë Rama.
Ata do të mblidhen para Kryeministrisë ku dhe do të mbajnë fjalime kreu i PD-së, Sali Berisha, dhe disa prej drejtuesve politikë të kësaj partie.
Nga ana tjetër Policia e Shtetit ka ndërmarrë masat duke kufizuar lëvizjen në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza”, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.
Në gatishmëri edhe Policia e Shtetit, e cila ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Burime nga policia bëjnë me dije se mbi 1200 forca të policisë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat do të jenë në terren për mbarëvajtjen e protestës. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA.
Gjithashtu edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve. Ndërkohë në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës. Dyert e kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike. Policia ka instaluar përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ kamera me rezolucion të lartë.
Dje në drekë Policia e Tiranës është thirrur në takim nga drejtori i përgjithshëm për protestën. Në mbledhje kanë qenë të gjithë vartësit e tij të departamentit të rendit dhe sigurisë dhe shefat e komisariateve të Tiranës. Kryepolici Ilir Proda ka dhënë porositë lidhur me detyrat e policisë për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestës. Bëhet me dije se Proda u ka kërkuar vartësve që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara.