Opozita thirrje qytetarëve: Të Hënën dilni në shesh

Në më pak se 30 minuta, u zhvillua seanca plenare këtë të Hënë e shoqëruar me një sërë tensionesh.

Që në nisje të saj, në orën 17:00, deputetët e PD-së ashtu siç kishin paralajmëruar krijuan kaos në sallë. Ata hodhën sende në drejtim të kryeparlamentares Elisa Spiropali. Më tej, Spiropali njofti vakancën për ish-deputetin demokrat Ervin Salianji i cili u dënua me 1 vit burg pak ditë më parë për kallëzim të rremë.

Teksa Garda u bë afrua tek foltorja, opozitarët morën karriget e tyre dhe i zhvendosën ato jashtë Parlamentit. Kjo një shenjë revolte për atë që ata e cilësojnë ‘burgosje politike e Salianjit’.

Më pas, karrigeve u vunë flakën.K y akt ekstrem që nuk e kemi parë deri më sot në Kuvend, përpos revoltës, demonstroi vendosmërinë e opozitës për ta çuar më tej aksionin e saj. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se ‘është Edi Rama ai që i ka vënë flakën Parlamentit’.

Agron Gjekmarkaj: Edhe karrigia ime u dogj! Ne nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë liritë që kemi fituar në dhjetor të 1990-ës, nuk jemi të gatshëm të dorëzojmë pluralizmin. Nuk e pranojmë planin ogurzi për shpërbërjen e opozitës. Data 7, ora 18:00 shqiptarët duhet të jenë në rrugët e Tiranës për të mbrojtur demokracinë dhe opozitën që është nën agresion për t’u zhbërë!

 

Dhurata Çupi: Edi Rama ka djegur Kushtetutën, ka shitur Shqipërinë, ka djegur Gjykatën e Apelit, Gjykatën e Lartë, kështu që nuk ka asnjë lloj normaliteti me Edi Ramën kryeministër. Ditën e Hënë të gjithë bashkë në shesh!

 

Dashnor Sula: Sot gjithë opozita jemi të vendosur nga i pari tek i fundit duke lënë gjithçka tutje, ndasi apo mendime të ndryshme. Çdo qytetar shqiptar i ftojmë në protestën më madhështore në 34 vite demokraci. Pika e fundit që derdhi gotën e ujit ishte goditja dhe burgosja e nënkryetarit të PD Ervin Salianji. Ai është i burgosur i pastër politik. Po vuan dënimin për një kallëzim të rremë publik që nuk ekziston. Ka bërë një hakmarrje primitive e personale duke nisur nga Rama dhe gjithë mazhoranca.