Opozita proteston 3 orë me molotov kundër institucioneve: Sot nisi mosbindja civile

Opozita protestoi të hënën për 3 orë kundër qeverisë Rama, duke nisur kështu ditën e parë të mosbindjes civile, siç e konsideroi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

Protesta nisi fillimisht përpara Kryeministrisë, aty ku protestuesit hodhën molotov. Më pas, turma e njerëzve e udhëhequr nga drejtuesit e Partisë Demokratike u zhvendosën edhe drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës e Parlamentit, ku u hodh molotov.

Sulmit nuk i shpëtoi as selia e Partisë Socialiste.

Nga ana tjetër, policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Protesta që nisi në orën 18:30 dhe përfundoi në 21:30, kishte si kryefjalë krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Për shkak të hedhjes së molotovëve, Policia e Shtetit njoftoi se 10 efektivë pësuan dëmtime.

 

Protestuesit shkatërruan edhe reklamat e vendosura në rrugë. Bllokime pati edhe për dy autoambulanca, që nuk u lejuan prej protestuesve të kalonin.

Ndërkohë, pas protestës, nëpër institucionet ku u hodh gaz lotsjellës, grupet hetimore të policisë nisën mbledhjen e provave materiale në vendngjarje.

 

Ndërsa në afërsi të Bashkisë së Tiranës u sekuestruan rreth 15 shishe me molotov të ndara në dy çanta