Operacioni Shqipëri-Itali trondit rrjetin ndërkombëtar të drogës! Prokurori Carbone: Nga Ballkani në Amerikën e Jugut, një krim që kapërcen kufijtë
Prokurori i Përgjithshëm i Italisë, Michele Carbone, ka dhënë deklarata të forta këtë të martë në Tiranë, në një konferencë për shtyp lidhur me operacionin e madh antidrogë të koduar “URA”, zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gjatë fjalës së tij, Carbone theksoi se ky ishte një bashkëpunim i jashtëzakonshëm mes institucioneve të dy vendeve, që çoi në shpërbërjen e një grupi kriminal ndërkombëtar, me ndikim të gjerë që përfshinte edhe Amerikën e Jugut.
Michele Carbone – Prokurori i Përgjithshëm i Italisë:
“Jam shumë i gëzuar, është hera e parë që vij në Tiranë. Është një krim ndërkombëtar, veçanërisht për lëndët narkotike, i cili i kalon kufijtë ndërkombëtarë dhe ka kontakte përtej Italisë dhe Shqipërisë. Flasim për kontakte në Evropën e Veriut, Amerikën e Jugut, Ballkan dhe vende të tjera.”
Sipas tij, suksesi i këtij operacioni vjen si rezultat i një pune të mirëkoordinuar mes strukturave të drejtësisë dhe policisë në të dyja vendet. Ai vlerësoi angazhimin e palës shqiptare në këtë aksion të gjerë antidrogë.
“Nëse rezultatet e djeshme u realizuan, është sepse ka pasur një punë skuadre. Kanë qenë aktorë jo vetëm policia gjyqësore, por edhe kolegët e policisë shqiptare. Rezultate të rëndësishme që mund të arrihen vetëm me anë të një loje skuadre. Falënderoj gjithë aktorët që bashkëpunuan.”
Operacioni “URA” çoi në ekzekutimin e 52 urdhër-arresteve në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë, me akuza që variojnë nga trafiku ndërkombëtar i drogës, te pastrimi i parave dhe abuzimi me detyrën. U sekuestruan pasuri me vlerë miliona euro dhe u identifikuan lidhje të forta mes grupeve shqiptare dhe karteleve nga Amerika Latine.