Operacioni “Revealed” zbardh 8 vjedhje banesash, arrestohen dy persona, një tjetër në kërkim

Policia e Peqinit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Revealed”, pas një hetimi disamujor, duke zbardhur 8 raste vjedhjesh në banesa të ndodhura përgjatë dy viteve. Si rezultat, janë arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Në pranga kanë rënë Artur Ciku, 38 vjeç, banues në fshatin Mjekës, Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje, dhe Idajet Sulkja, 48 vjeç, banues në Durrës. Ata dyshohet se kanë kryer grabitje në banesa të pabanuara, kryesisht pronë e emigrantëve, në disa fshatra të Peqinit.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht A. Q., 49 vjeç, banues në fshatin Mjekës, i cili dyshohet se ka ndihmuar në transportimin e sendeve të vjedhura, dhe K. B., 65 vjeçe, që dyshohet se ka pasur dijeni për krimin dhe nuk e ka kallëzuar, pasi u kishte dhënë me qira autorëve një ambient që ata përdornin për grumbullimin e mallrave të vjedhura.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe B. H., 33 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se ka përdorur automjetin e tij për të ndihmuar në vjedhjet.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një sasi të madhe sendesh të vjedhura, përfshirë 4 televizorë, 5 kondicionerë, 6 biçikleta, orendi shtëpiake, pajisje elektronike dhe elektrike, bizhuteri, fishekë luftarak, si dhe një automjet të përdorur nga autorët për vjedhjet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim.