Operacioni “Piloti” dërgon në pranga 43-vjeçarin kuksian me 6 egjiptianë në makinë
Një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit është goditur nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Piloti”. Në pranga ka rënë një 43-vjeçar me precedent penal, i cili u kap në flagrancë duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Defrim Matmuja, banues në fshatin Breglumë, Kukës, u kap në aksin rrugor “Milot-Morinë”, duke transportuar 6 shtetas egjiptianë, me qëllim për t’i ndihmuar që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror.
Operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Seksionin e Sigurisë së Autostradës “Milot–Morinë”. Sipas Policisë, D. M. ishte organizator i kësaj veprimtarie, të cilën e kryente kundrejt pagesës, dhe rezulton me precedent të mëparshëm penal për të njëjtën vepër.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan automjetin me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 aparat celular, që dyshohet se përmban të dhëna të vlefshme për hetimin.