Operacioni “End” në Klos/ Arrestohet 57-vjeçari i dënuar për drogë, fshihej në fshatin Gurrë
Një tjetër person i shpallur në kërkim ka përfunduar pas hekurave pas një operacioni të zhvilluar në Mat. Policia ka arrestuar 57-vjeçarin V.T., banues në fshatin Gurrë të Klosit, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni i koduar “End” u finalizua pas informacioneve operative për vendndodhjen e tij, duke i dhënë fund arratisë së 57-vjeçarit. Ai ishte në kërkim prej disa kohësh dhe sipas burimeve, fshihej në zonën e tij të lindjes, duke shmangur lëvizjet e tepërta për të mos rënë në sy.
Pas arrestimit të tij, materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.
Operacioni shihet si pjesë e një vale aksionesh për kapjen e personave që tentojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, sidomos atyre të dënuar nga GJKKO për çështje që lidhen me krimin e organizuar dhe veprimtari narkotike.