Operacioni antidrogë Shqipëri-Itali/ Arrestohet administratori i një firme transporti në Fier, urdhër-arrest për një avokat në Durrës dhe një ish-polic
Dalin në dritë detaje të reja nga megaoperacioni ndërkombëtar antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë, që goditi një rrjet të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike nga Ballkani drejt Puglias italiane dhe vendeve të Evropës Veriore.
Në kuadër të këtij operacioni, në Shqipëri janë kryer kontrolle në disa qytete, ndërsa në Fier është ndaluar administratori i një shoqërie transporti pasagjerësh, i dyshuar për përfshirje në skemën e trafikut të drogës.
Gjithashtu, në Durrës, është lëshuar urdhër-arresti për një avokat, ndërkohë që në listën e të kërkuarve për përfshirje në këtë rrjet kriminal është edhe një ish-punonjës i policisë, si dhe një person i identifikuar me emrin Orges Molla.
Operacioni është zhvilluar nga Antimafia e Barit, SPAK, Policia e Shtetit Shqiptar, Interpol, si dhe me ndihmën e Eurojust dhe Drejtorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm të Italisë.
Ky është një ndër goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës, me 52 urdhër-arreste të lëshuara dhe pasuri të sekuestruara me vlerë miliona euro.