Operacion policor në Lushnjë/ Arrestohen tre persona, sekuestrohen lëndë narkotike, eksplozivë dhe armë
Një operacion i suksesshëm kundër trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është zhvilluar nga policia e Lushnjës, duke çuar në arrestimin e tre personave dhe procedimin penal të një të mituri.
Operacioni, i koduar “Penaliteti”, u finalizua pas disa javësh hetime dhe survejime, ndërsa në pranga ranë shtetasit:
•E.L., 32 vjeç, banues në Kuçovë, i cili gjatë kontrollit në automjetin e tij u kap me një sasi kanabisi dhe një kallëp eksplozivi artizanal.
•R.K., 21 vjeç, banues në Lushnjë, të cilit iu gjetën doza kanabisi dhe një përforcues grushti.
•A.M., 24 vjeç, banues në Lushnjë, i cili gjatë kontrollit në automjetin e tij u kap me një sasi kokaine.
Gjithashtu, materialet u referuan në Prokurori për një 17-vjeçar nga Lushnja, që po procedohet në gjendje të lirë. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se shiste dhjetëra doza kanabisi pranë shkollave të qytetit.
Policia ka sekuestruar në total:
•Sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojeve kanabis dhe kokainë.
•Një kallëp lëndë eksplozive artizanale.
•Armë të ftohta, përfshirë një përforcues grushti.
Operacioni shënon një tjetër hap të rëndësishëm në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe përpjekjeve për të garantuar sigurinë publike, sidomos pranë institucioneve arsimore. Hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm vijojnë.