Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Berat ka urdhëruar arrestimin e katër personave të dyshuar për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, në kuadër të hetimeve të nisura që prej vitit 2023.
Operacioni i koduar “STAR” u finalizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektorin e Agjentëve në Mbulim dhe Njësinë nr. 1, duke çuar në arrestimin e shtetasve:
• K. I.
• K. D.
• R. Z.
• E. V.
Arrestimet u kryen në ambientet e një lokali nate, ‘Pub Star’ në qytetin e Dimalit (Berat), ku dyshohej se po shpërndahej lëndë narkotike.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 28 doza të dyshuara kokaine, të ambalazhuara në qese të tejdukshme. Në banesën e E. V. (pronari i lokalit), u gjetën edhe pesë doza të tjera kokaine dhe një peshore elektronike që dyshohet se përdorej për ndarjen e lëndës narkotike.
Ndërkohë, në automjetin e K. D. (badigardi i lokalit), policia zbuloi 23 doza të tjera kokaine të fshehura në një kapsulë të verdhë, të ngjashme me ato të lodrave “Kinder”.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa të arrestuarit do të përballen me akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.