Operacion i përbashkët SPAK-Itali kundër pastrimit të parave nga organizata shqiptare, sekuestrohen pasuri mbi 4 milionë euro në Verona

SPAK dhe autoritetet italiane kanë zhvilluar një operacion të përbashkët kundër një organizate kriminale shqiptare me bazë në Elbasan, e cila dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në tregun europian dhe ka investuar të ardhurat e paligjshme në Itali.

Operacioni, i koordinuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Guardia di Finanza e Veronës, ka çuar në sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë mbi 4 milionë euro, përfshirë:

-Një ndërtesë në Nogarole Rocca (Verona)

-Një kompleks me 30 njësi zyrash dhe dyqanesh në Verona me vlerë rreth 3 milionë euro

-Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)

-Një shoqëri ndërtimi me kuota 100% në Itali

Hetimet treguan se këto pasuri ishin financuar me para që kishin ardhur nga Shqipëria përmes një shoqërie tregtare në pronësi të dy vëllezërve shqiptarë. Shumat transferoheshin në Itali dhe investoheshin në ndërtim dhe rikonstruksion ndërtesash.

Njëri nga vëllezërit është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa tjetri ndodhet në burg në Belgjikë, pasi u arrestua në Verona në qershor 2024 me urdhër të autoriteteve belge për dyshime për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, që dyshohet se lidhet me përplasje mes grupeve të trafikut të drogës.

SPAK ka lëshuar ndaj tij edhe një vendim hetimor për:

-“Vrasje me paramendim”

-“Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”

-“Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike”

“Pastrimi i produkteve të veprës penale”

Hetimi i përbashkët zbuloi gjithashtu se edhe administratorët e një kompanie pasurish të paluajtshme në Verona, një çift shqiptarësh me precedentë penalë për trafik droge, ishin pjesë e rrjetit dhe rezultonin në listat e pagesave të organizatës.

Autoritetet italiane kanë kryer gjithashtu kontrolle në banesa dhe biznese të bashkëpunëtorëve italianë të organizatës, për gjetjen e provave shtesë.

Sipas Prokurorisë së Veronës, ky është rasti i parë i dokumentuar ku një organizatë shqiptare kriminale investon pasuri të paligjshme në territorin e një shteti të BE-së, përmes skemave të pastrimit të parave.