Operacion i madh në Korçë! 14 të shoqëruar, sekuestrime rekord: Armë, para, kokainë dhe karburant kontrabandë

Një operacion i gjerë antidrogë dhe antikriminal ka përfunduar me sukses nga Policia e Korçës, e mbështetur nga forcat elitë RENEA. Gjatë aksionit, janë kontrolluar 29 banesa, ku janë gjetur sende të jashtëligjshme dhe prova të lidhjeve me grupe kriminale.

Për momentin, 14 persona janë shoqëruar për t’u pyetur lidhur me aktivitetet e paligjshme. Burimet nga policia bëjnë me dije se pjesa më e madhe e të shoqëruarve pritet të arrestohet në orët në vijim. Një nga personat më të kërkuar, Erjon Llapushi, nuk është gjetur në banesën e tij dhe vazhdon të jetë në arrati.

Gjatë kontrollit të banesave, forcat e rendit kanë sekuestruar një sasi të madhe armësh, përfshirë shotgun dhe pistoleta, disa prej të cilave ishin armë të sofistikuara dhe maskuese, si thika në formën e stilolapsit. Po ashtu, janë gjetur 140 milionë lekë të vjetra dhe 26 mijë dollarë, si dhe 500 kg karburant që dyshohet të jetë kontrabandë.

Përveç kësaj, janë zbuluar edhe disa aparate celular që përdorej për lojëra fati dhe sasi të konsiderueshme narkotikësh, përfshirë kokainë.

Hetimet vazhdojnë, dhe autoritetet janë të angazhuara për të zbardhur plotësisht këtë rrjet kriminal dhe për të sjellë para drejtësisë ata që janë të përfshirë.