Një operacion antidrogë është zhvilluar nga Sektori i Antidrogës në qytetin e Tiranës.
Rreth 1 kg kokainë është konfiskuar nga policia, ndërsa në pranga kanë rënë dy poseduesit, Klaudio Serjani dhe Euxhenjo Manushi.
DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor i koduar “Fam Fanz”, i ndjekur me metoda proaktive.
Gjatë operacionit goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në qytetin e Tiranës.
Sekuestrohen 1 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë (me vlerë tregu rreth 270 000 euro).
Policia ka kapur në flagrancë 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Fam Fanz”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, automjetin me drejtues shtetasin K. S., dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. S., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.