Operacion antidrogë në Belgjikë, shkatërrohet organizata kriminale e shqiptarëve! 8 të arrestuar, sekuestrime droge, armësh e parash
Një organizatë kriminale e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë është goditur nga autoritetet belge, pas një hetimi të nisur në nëntor 2023 nga Policia Federale Gjyqësore (FJP) në Leuven. Sipas autoriteteve, grupi kriminal kishte ngritur plantacione profesionale kanabisi në Belgjikë dhe Francë, ndërsa ishte i përfshirë edhe në transportin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Operacioni kulmoi më 20 maj 2025, me 11 kontrolle të njëkohshme në qytetet Diest, Geel, Herstal, Lummen, Liège, Oupeye dhe Tremelo. Si rezultat, u arrestuan tetë persona, të gjithë shtetas shqiptarë, ndërsa gjashtë prej tyre u ndaluan me urdhër-arrest. Dy të tjerë, megjithëse u liruan, mbeten nën hetim si të dyshuar.
Po atë ditë, autoritetet belge bashkëpunuan me hetues nga Shqipëria dhe Franca, të cilët kontrolluan disa adresa në vendet respektive, duke e zgjeruar hetimin në nivel ndërkombëtar.
Sipas zyrës së prokurorit të Leuvenit, operacioni përfshiu një forcë të përbashkët prej 90 efektivësh, të ardhur nga Policia Federale Gjyqësore e Liège, Limburg dhe Antëerp, si dhe nga doganat, njësitë antidrogë dhe njësi speciale. Ndihmë u ofrua gjithashtu nga policitë lokale të Basse-Meuse, BRT, Demerdal, Geel, Herstal dhe Liège.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 36.5 kilogramë kanabis, sasi të konsiderueshme ketamine, kokainë, ekstazi, gaz i qeshur dhe speed. Po ashtu, u gjetën para të gatshme, armë zjarri dhe prova të tjera që do të përdoren në hetimet e mëtejshme.