Operacion anti-drogë në Ekuador dhe Spanjë, arrestohen edhe shqiptarë! Ja ku e fshihnin kokainën

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar mëngjesin e hershëm të 29 majit 2025 në qytetet Quito dhe Guayaquil në Ekuador, në bashkëpunim mes Prokurorisë ekuadoriane, Policisë Kombëtare dhe autoriteteve spanjolle. Operacioni, i koduar “Gran Fénix 23”, çmontoi një organizatë kriminale që trafikonte kokainë drejt Spanjës, të fshehur në kontejnerë me fruta tropikale, konkretisht pitahaja.

Gjatë aksionit u arrestuan 13 persona, mes tyre tre efektivë policie në detyrë, ndërsa u kryen njëkohësisht 11 bastisje në zona të ndryshme. Autoritetet po hetojnë lidhje të kësaj organizate me grupin e njohur kriminal ekuadorian “Chone Killers”.

Hetimet për këtë rrjet nisën në vitin 2024 në koordinim me policinë spanjolle, pas zbulimit të një ngarkese me drogë që mbërriti në Madrid më 15 gusht të vitit të kaluar. Ky episod çoi në nisjen e “Operacionit Dragon” në Spanjë, që u përqendrua në ndjekjen e rrjetit logjistik që shpërndante drogën në territorin evropian.

Sipas Prokurorisë së Ekuadorit, rrjeti kriminal përdorte tregtinë e ligjshme të frutave si mbulesë për dërgesat e drogës, duke përfshirë edhe zyrtarë publikë dhe kompani sigurie për të kaluar ngarkesat në port pa kontroll të detajuar. Në Spanjë u identifikua edhe përfshirja e disa bashkëpunëtorëve shqiptarë, të cilët merreshin me logjistikën dhe pritjen e lëndës narkotike të ardhur nga Amerika Latine.

Përveç arrestimeve në Ekuador, autoritetet spanjolle kanë vënë në pranga edhe 4 persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar droge. Të gjithë të ndaluarit në Ekuador do të dalin para gjykatave për ngritjen e akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit deklaroi se ky operacion është pjesë e një fushate të intensifikuar për shkatërrimin e rrjeteve kriminale që e përdorin Ekuadorin si një pikë strategjike për dërgimin e kokainës në tregun evropian.