Olsian Çela paraqet raportin e Prokurorisë për 2024: Mungojnë 35% e prokurorëve, rritje e ndjeshme e të dënuarve

Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, prezantoi këtë të hënë përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin vjetor për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë vitit 2024. Ai ngriti shqetësimin për mungesën serioze të prokurorëve në të gjitha nivelet dhe theksoi se, megjithatë, ka pasur një rritje të konsiderueshme të numrit të të pandehurve të dënuar.

“Në vitin 2024 numri faktik i prokurorëve në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ka qenë 209. Ky tregues evidenton strukturën faktike me 65% të prokurorëve kundrejt numrit organik prej 321 prokurorësh dhe mungesën e 35% të numrit të prokurorëve,” deklaroi Çela në raportimin e tij.

Ai specifikoi se në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë shërbejnë vetëm 185 prokurorë, që përbën një deficit prej 98 vetësh.

“Në këtë vështrim, gjendja e numrit faktik të prokurorëve sipas niveleve ka qenë: 185 prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë (65% e strukturës organike), 11 prokurorë në Apel (55%) dhe 11 prokurorë e 2 ndihmës magjistratë në Prokurorinë e Përgjithshme (61%),” tha ai.

Në vijim, Çela evidentoi edhe një rënie të lehtë të çështjeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin e kaluar, por një rritje të qartë të të dënuarve.

“Janë dërguar në gjykatë 9030 çështje me akuzë ndaj 10,759 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2023 rezulton një ulje prej 6.44% e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 5.63% e numrit të të pandehurve të dërguar në gjykatë,” u shpreh ai.

Megjithatë, sipas tij, vendimet e gjykatës kanë reflektuar një rritje të ndjeshme të efikasitetit të ndjekjes penale:

“Në vitin 2024 janë dënuar 10,001 të pandehur, që krahasuar me vitin 2023 përbën rritje 37.87% të numrit të të pandehurve të dënuar. Për 265 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm,” përfundoi Çela.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)