Pas pesë netëve të jashtëzakonshme plot emocione, Festivali “Sanremo 2025” ka ardhur zyrtarisht në përfundim. Edicioni i 75-të i “Sanremos” dhuroi momente të paharrueshme, të qeshura dhe, mbi të gjitha, muzikë të mrekullueshme.
Pas kombinimit të votave nga juria e shtypit, juria e radios dhe televotimi, gjithçka u bë zyrtare: Artisti Olly, emri i vërtetë i të cilit është Federico Olivieri, është fituesi i “Sanremo 2025”. Me këngën “Balorda Nostalgia”, Olly rrëmben trofeun dhe shkruan emrin e tij përgjithmonë në historinë e “Sanremos”.
Të 29 konkurrentët u ngjitën për herë të fundit në skenë me shpresën për të kaluar në Superfinale. Renditja nga tre netët e para u kombinua me atë të natës finale për të përcaktuar klasifikimin përfundimtar të të gjithë artistëve.
Pesë këngëtarët më të votuar kaluan në një raund tjetër votimi, i cili u nda në tre pjesë: 33% juria e shtypit, 33% juria e radios dhe 34% televotimi, për të përcaktuar fituesin.
Për natën e fundit, krahas prezantuesit të njohur Carlo Conti, bashkë-prezantues ishin Alessia Marcuzzi dhe Alessandro Cattelan, ky i fundit i njohur edhe si një nga tre prezantuesit e “Eurovision 2022” në Torino. Të tre së bashku sollën një spektakël të mrekullueshëm, duke mbyllur në mënyrën më të bukur këtë edicion të festivalit legjendar.