OKB jep alarmin: Irani rrit ndjeshëm rezervat e uraniumit të pasuruar, mjaftueshëm për 10 armë bërthamore

 raport i klasifikuar i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka ngritur shqetësim të thellë në rang ndërkombëtar, pasi tregon se Irani ka rritur ndjeshëm rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë, duke i çuar ato në mbi 400 kilogramë me pastërti 60%.

Raporti, i siguruar nga BBC, tregon se ky nivel përfaqëson një rritje prej afro 50% vetëm në tre muajt e fundit dhe është shifra më e lartë që nga fillimi i programit bërthamor të Iranit. Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se kjo sasi uraniumi, nëse pasurohet më tej në nivel ushtarak, do të ishte e mjaftueshme për të ndërtuar deri në 10 armë bërthamore.

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-së, Rafael Grossi, e cilësoi situatën si “seriozisht shqetësuese”, duke deklaruar:

“Rritja e prodhimit dhe akumulimit të uraniumit të pasuruar në nivele kaq të larta nuk mund të justifikohet më me përdorime civile.”

Izraeli reagoi menjëherë dhe ashpër ndaj raportit, duke akuzuar Iranin se është “plotësisht i përkushtuar për të zhvilluar armë bërthamore” dhe duke rritur tonet ndaj komunitetit ndërkombëtar që, sipas Tel Avivit, po e injoron rrezikun e shtuar.

Nga ana tjetër, Irani vijon të mohojë çdo qëllim ushtarak në programin e tij bërthamor. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një deklaratë për televizionin shtetëror theksoi:

“Armët bërthamore janë të papranueshme për Republikën Islamike. Programi ynë ka vetëm qëllime paqësore dhe energjetike.”

Megjithatë, vlerësimet e zyrtarëve të inteligjencës amerikane janë gjithnjë e më alarmante. Sipas tyre, nëse Irani vendos realisht të ndërtojë një armë bërthamore, ai mund të prodhojë materialin e nevojshëm brenda dy javësh dhe të ndërtojë një bombë brenda disa muajsh.