“O Lul, ku je më artist?” – Rama përplaset me ndjekësin dhe thumbon Bashën: Nuk më ndoqe, mbete tek 7×7!

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit e tij në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetet sociale, ku iu përgjigj një komentuesi që e akuzoi se “ka bërë ushtri socialiste të shtetit”.

“Nëse ka një gjë që kemi bërë dhe jemi krenar për të, është që kemi shmangur bërjen e një ushtrie socialiste të shtetit. Po të kishim bërë ndryshe, nuk do ishim sot në kushtet e negociatave me Bashkimin Evropian”, u shpreh Rama.

Në këtë kontekst, kryeministri shfrytëzoi mundësinë për të thumbuar edhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me një koment ironik:

“O Lul, ku je më artist? U bë kohë që s’të shoh, nuk më ndoqe që nuk më ndoqe, mbete tek 7×7, eh mër Lul!”

Rama foli gjithashtu për ndërtimet pa leje, duke theksuar se shumica e qytetarëve janë të ndershëm dhe kërkojnë ndalimin e këtij fenomeni:

“Askush nuk ka arsye të mendojë për shumë të paktit që kuturisen të ndërtojnë pa leje. Ata nuk janë të varfrit, por të tjerë që spekulojnë. Ne jemi këtu për të mbrojtur shumicën dërrmuese që respekton ligjin.”