Nxënësit e “Avni Rustemit” në Vlorë mbeten rrugëve, firma nuk përfundon punimet pas më shumë se një viti vonesë

Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në qytetin e Vlorës është një tjetër shembull i mënyrës si zvarriten punimet publike në vendin tonë, shpesh pa ndonjë pasojë për firmat ndërtuese.

Bashkia e Vlorës shpalli një tender për rikonstruksionin e shkollës në nëntor 2023.

Në garë për rikonstruksionin e shkollës u futën 6 firma, ndërsa në datën 10 janar 2024 u shpall fitues bashkimi i operatorëve “ASI – 2A CO shpk” dhe “Viscons Group shpk”.

 

Pas procedurave, kontrata u lidh në shkurt 2024 me bashkimin e dy firmave fituese. Afati i punimeve ishte 6 muaj, që do të thotë se shkolla duhej të ishte gati për fillimin e vitit shkollor në shtator 2024.

Megjithatë, jemi në qershor 2025 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar. Më keq akoma, objekti që ende nuk është dorëzuar zyrtarisht, ka filluar të tregojë shenja dëmtimi, siç është rasti me parketin e palestrës dhe disa probleme të tjera teknike.

Kjo është një situatë që, për fat të keq, përsëritet shpesh!

Punime që nuk mbarojnë në kohë, mungesë cilësie dhe mungesë mbikëqyrjeje serioze nga institucionet publike. Ndërkohë, askush nuk mban përgjegjësi për vonesat dhe defektet.

Bashkia e Vlorës nuk e ka pranuar ende objektin, por kjo nuk e ndryshon faktin se ata që po vuajnë më shumë janë nxënësit dhe mësuesit.

Prej më shumë se një viti, ata janë të detyruar të ndjekin mësimin në një shkollë tjetër, me turne dhe në kushte që nuk janë aspak të përshtatshme për një proces normal.

Ky rast tregon se mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies përs në tenderat publikë ka pasoja të drejtpërdrejta tek qytetarët në këtë rast, fëmijët që mbeten pa shkollë.