Nuredin Dumani zbardh atentatin e dështuar ndaj Sokol Sanxhaktarit: Pse nuk e realizova planin për 200 mijë euro

Dëshmitari i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka zbuluar detaje tronditëse në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) këtë të enjte, lidhur me një atentat të planifikuar ndaj Sokol Sanxhaktarit.

Sipas rrëfimit të tij, Dumani është porositur të kryejë atentatin nga Franc Çapja, me një shpërblim prej 200 mijë eurosh. Megjithatë, ai ka deklaruar se atentati nuk u realizua, pasi ai u arrestua ditën kur ishte planifikuar goditja.

“Mu premtuan 200 mijë euro nga Franc Çapja për eliminimin e Sanxhaktarit. Informacionin për lëvizjet e tij do e merrnim nga Bledar Muça, Festim Çoli dhe Franc Çapja,” ka deklaruar Dumani në dëshminë e tij.

Dëshmia e Dumanit është pjesë e dosjes së SPAK, që përfshin një seri ngjarjesh kriminale të rënda, dhe ka shkaktuar përplasje të ashpra mes tij, të pandehurve dhe avokatëve të tyre në proces. Seanca gjyqësore e kësaj të enjteje u shty për më 14 janar.

Atentati i dështuar ndaj Sanxhaktarit është një nga episodet më të përfolura në botën e krimit të organizuar, duke nxjerrë në pah lidhjet dhe përfshirjet e grupeve kriminale për eliminimin e rivalëve. Zbulimi i këtij plani dhe arrestimi i Dumanit kanë ndikuar në frenimin e ngjarjes, ndërkohë që drejtësia vijon hetimet.

Procesi mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa dëshmitë e Dumanit pritet të sjellin detaje të reja për të shkuarën e krimit të organizuar në vend.