Numërimi i votave në zgjedhjet parlamentare, bie faqja e KQZ, Vetëvendosja “rrëmben” gjithë votat

Procesi i grumbullimit të të dhënave nuk ka shkuar siç duhet për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë.

Gjatë këtij procesi janë shfaqur probleme teknike në faqen zyrtare.Kur ishin numëruar 23.5% e votave, faqja zyrtare e KQZ-së doli jashtë funksionit.
Probleme teknike në sistemin online të përditësimit të rezultateve zgjedhore, duke sjellë shifra të pazakonta në disa komuna të Kosovës.

Në komunën e Pejës, të dhënat e publikuara tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka grumbulluar 96.44% të votave, një përqindje jashtëzakonisht e lartë që ka ngritur dyshime mbi saktësinë e rezultateve. Po ashtu, në Podujevë, sipas sistemit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kryeson me 80.49% të votave, një tjetër rezultat i pazakontë për këtë komunë.

KQZ ka bërë të ditur se është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet.

“Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probelemet teknike në platformë.

Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ.

Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem.

Të gjitha ekipet e KQZ-së janë duke punuar në terren dhe duke dërguar të dhënat të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë.

KQZ falënderon mirëkuptim të gjithë qytetarët dhe mediat!” tha zyrtari i KQZ, Valmir Elezi.