“Nuk trembemi nga lufta” – Ahmed al-Sharaa sfidon Izraelin: Mbrojtja e druzëve është kauza jonë kombëtare
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka deklaruar të enjten se mbrojtja e qytetarëve druzë dhe të drejtave të tyre përbën prioritet absolut, teksa tensionet me Izraelin janë thelluar ndjeshëm pas bombardimeve ajrore izraelite mbi Damask.
Në fjalimin e tij të parë televiziv pas sulmeve të së mërkurës, Sharaa theksoi se qeveria e tij “nuk do të lejojë asnjë palë të jashtme të përdorë pakicat siriane për qëllime të veta”, duke iu referuar zhvillimeve në jug të Sirisë, ku forcat qeveritare janë përplasur me komunitetin druz.
“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. E kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë”, deklaroi ai. “Por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit.”
Ai theksoi se populli sirian është gati të luftojë nëse rrezikohet dinjiteti i tyre.
Sulmet ajrore izraelite shkatërruan një pjesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Sirisë dhe goditën afër Pallatit Presidencial në Damask. Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme janë përgjigje ndaj dhunës që forcat siriane po ushtrojnë mbi pakicën druze në jug të vendit.
Izraeli ka paralajmëruar se nuk do të lejojë zhvendosjen e forcave siriane në jug, ku ndodhen komunitete druze dhe ku janë shënuar përleshje të rënda në javët e fundit. Mbrojtja e këtij komuniteti është kërkuar me forcë edhe nga druzët që jetojnë brenda vetë Izraelit.
Për më tepër, bombardimet izraelite kanë ardhur pavarësisht afrimit të Sharaas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kontakteve të tij me Izraelin në fushën e sigurisë, duke përshkruar kështu një përshkallëzim të madh në marrëdhëniet dypalëshe.
Pas ditësh luftime, të mërkurën zyrtarë të qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës druze shpallën një armëpushim të ri në qytetin Suveida, një qendër e rëndësishme e komunitetit druz në jug.
Autokolonat e forcave qeveritare kanë nisur të tërhiqen nga qyteti, por deri më tani nuk është e qartë nëse marrëveshja e re do të respektohet, pavarësisht njoftimit të përbashkët nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe një udhëheqës druz përmes një video-mesazhi.
Një armëpushim i ngjashëm i shpallur një ditë më parë dështoi brenda pak orësh.