“Nuk trembemi”, kreu i SPAK, Altin Dumani: Po tronditet pandëshkueshmëria në Shqipëri!

Kreu i SPAK, Altin Dumani, është shprehur se me Reformën në Drejtësi, pandëshkueshmëria po tronditet në Shqipëri.

Ai tha gjithashtu se gjatë rrugëtimit të tij SPAK është përballur me shumë sfida, të cilat sipas tij, as nuk i kanë stepur e as nuk i kanë trembur prokurorët. 

“Të nderuar ambasadorë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të nderuar komisionerë publik. Duhet të ndaj me ju disa reflektime të një procesi që i dha formë sistemit tonë të drejtësisë. Ishte përcaktues për të pasur një demokraci më të fortë dhe për të bërë më të sigurt rrugën drejt BE. 7 vite nuk janë pak, por Reforma në Drejtësi ishte transformuese për të përshkruar një prej proceseve më gjithëpërfshirës, për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie të drejtë e professional. KPK dhe KPA kanë vendosur me shembullin e tyre një gurëthemel mbi të cilat institucionet e drejtësisë do të ngriheshin. SPAK është një institucion i pavarur dhe të 20 prokurorët i janë nënshtruar procesit të vettingut. 

Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Rruga na përball çdo ditë me sfida të reja, që as nuk na kanë trembur, e as nuk na kanë stepur. Një nga përparësitë e SPAK nga 31 dhjetori është edhe administrimi i rolit të komisionerëve publikë. Të gjitha çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve, do i kalojnë drejtuesit të SPAK. Deri tani numërohen 40 ankimime. Parashikohet që drejtuesi i SPAK do të ketë një rol të madh të përfaqësimit të këtyre çështjeve përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”,-tha Dumani.