Kevin Hajrulla, i mbijetuari i atentatit të mirëorganizuar në Vlorë, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve, duke mohuar njohjen e ekzekutorëve dhe çdo lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen. Aktualisht ai ndodhet në spital, në gjendje të stabilizuar, pasi iu nënshtrua tre ndërhyrjeve kirurgjikale.
Hajrulla ka deklaruar se nuk ka konflikte personale dhe se për një kohë të gjatë ka punuar në një call center. Në lidhje me atentatin, ai ka treguar se ndjeu erën e barutit në makinë dhe më pas humbi ndjenjat.
“Ishte një moment i papritur. Nuk njoh ekzekutorët dhe nuk kam konflikte. Nuk shoqërohem me Inezin, takohemi shumë rrallë, kryesisht në raste familjare,” deklaroi ai, duke iu referuar kushëririt të tij, Inez Hajrullës, i cili dyshohet të jetë përfshirë në përplasje të rënda me grupe kriminale.
Pistat e hetimit
Policia dyshon se atentati ndaj Kevin Hajrullës lidhet me përplasjet e kushëririt të tij, Inez Hajrulla, me grupin e Bernard Sinomatit. Megjithatë, Kevin Hajrulla rezulton pa rekorde kriminale dhe nuk ka qenë i përfshirë në aktivitete të dyshimta.
Inez Hajrulla, sipas sistemit TIMS, ndodhet jashtë vendit dhe ende nuk është pyetur nga grupi hetimor. Konfliktet e tij me grupin e Bernard Sinomatit janë thelluar pas ekzekutimit me snajper në dhjetor të vitit 2023 të nipit të Bernardit, Gëzim Sinomati. Vrasja e Gëzim Sinomatit, djalit të Sokol Sinomatit (i njohur si “Buzëderri”), ende mbetet e pazbardhur.
Pasojat e atentatit
Ngjarja në Vlorë la të plagosur rëndë Kevin Hajrullën dhe një person tjetër. Vetëm pak orë pas atentatit, në Tiranë u raportua një tjetër tentativë për eliminimin e Bernard Sinomatit. Hetuesit dyshojnë për një seri hakmarrjesh mes grupeve kriminale në Vlorë dhe Tiranë.