“Nuk kemi pasur konflikte me viktimën”/ Eduart Lami flet për vrasjen e postierit, zbardhet dëshmia e tij!

Eduart Lami, një nga të ndaluarit lidhur me vrasjen e postierit Shkëlzen Visha, ka deklaruar para hetuesve se ai dhe familja e tij nuk kanë pasur konflikte me viktimën apo familjen e tij. Sipas burimeve nga hetimi, Lami ka theksuar se, në dijeninë e tij, nuk ka pasur asnjë përplasje apo debat me dy vëllezërit Visha, duke përjashtuar çdo përfshirje personale në ngjarjen tragjike.

“Nuk kemi pasur konflikt me familjen e viktimës. Në dijeninë time nuk kemi pasur asnjë debat apo përplasje. Nuk e di për pjesëtarë të tjerë të familjes nëse kanë pasur konflikte me dy vëllezërit Visha. Por unë personalisht dhe nga ajo çfarë di unë nuk kemi pasur konflikte,” mësohet të ketë deklaruar Lami gjatë marrjes në pyetje.

Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor kanë bërë me dije se gëzhojat e gjetura në vendin e krimit përkojnë me modelin e armës së zjarrit të sekuestruar në banesën e Ervis Lamit, një tjetër person i dyshuar për ngjarjen. Ky fakt ka forcuar dyshimet e autoriteteve për përfshirjen e familjes Lami në këtë vrasje, edhe pse motivet e sakta mbeten ende të paqarta.