“Nuk kam probleme me askënd, por bashkëshorti im…”/ Zbardhet dëshmia e gruas së Roan Brahimit pas atentatit në Tiranë dhe vrasjes në Lezhë
Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga hetimet për dy atentatet që tronditën Shqipërinë brenda një ore, njëri në Lezhë dhe tjetri në Tiranë, ku mbeti i vrarë babai i Roan Brahimit dhe u plagosën katër persona, mes tyre dy fëmijë.
Gjendja shëndetësore e 11-vjeçarit që ndodhej në automjetin e qëlluar në zonën e Lundrës, në Tiranë, vijon të jetë kritike. Ai dhe vëllai i tij pritet të transportohen me avion sanitar drejt spitalit “Bambin Xhezu” në Romë, për trajtim më të specializuar.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se autorët e atentatit në Tiranë kanë ngatërruar shënjestrën, duke qëlluar ndaj një makine të ngjashme me atë të gruas së Roan Brahimit. Kjo e fundit lëviz me një ‘G Class’ me targa që ndryshonin vetëm nga një germë me mjetin e 4 të rinjve që u qëllua në mënyrë të pamëshirshme.
Në dëshminë e saj përpara hetuesve, gruaja e Roan Brahimit ka deklaruar se nuk ka dijeni për ndonjë konflikt personal që mund të çojë në këto sulme, por ka pranuar se bashkëshorti i saj ka pasur probleme në të kaluarën.
Ajo ka sqaruar se në momentin e atentatit ndaj vjehrrit në Lezhë ndodhej në Tiranë. Kjo ka ngritur dyshime se autorët mund të kenë qenë të informuar për lëvizjet e saj.