“Nuk kam parë kurrë një shkatërrim të tillë”, Trump viziton Teksasin pas përmbytjeve

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, vizituan zonat e shkatërruara nga përmbytjet në Teksasin qendror, ku humbën jetën 120 persona fundjavën e kaluar, ndërsa 161 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.

Trump u shpreh thellësisht i tronditur nga ajo që kishte parë.

“Kjo është një nga më të rëndat. Bëmë një vizitë në terren dhe është e vështirë të besohet kjo shkatërrim. Nuk kam parë kurrë diçka të ngjashme”, tha ai.

 

Ai e përshkroi lumin Guadalupe si një “përrua të ngushtë që u kthye në një përbindësh”.

Presidenti theksoi se shumë persona janë ende të zhdukur, përfshirë edhe dhjetëra fëmijë.

Trump tha se kishte kaluar kohë me familjet e viktimave, duke e cilësuar si pjesën më të vështirë të vizitës.

“U dhamë ngushëllimet më të ngrohta, por si mund t’i japësh ngushëllime dikujt që ka humbur një fëmijë të vogël plot jetë?”, tha Trump.

Zonja e Parë, Melania Trump, gjithashtu ofroi mbështetjen e saj emocionale për familjet e prekura.

“Ngushëllimet e mia më të thella për të gjithë prindërit që humbën shpirtra të bukur të rinj. Ne po vajtojmë bashkë me ju, kombi po vajton me ju”, tha ajo.

Ajo tregoi se kishte përqafuar dhe ishte lutur me familjet e viktimave, ndërsa zbuloi se një nga të afërmit i kishte dhuruar një byzylyk nga kampi Camp Mystic.

“U premtova që do të kthehem,” përfundoi ajo.

Fundjavën e kaluar, stuhitë vdekjeprurëse goditën Teksasin qendror duke sjellë sasi shiu sa për disa muaj brenda pak orësh. Niveli i lumenjve u rrit ndjeshëm, duke përmbytur shtëpi, rrugë dhe automjete.