“Nuk kam asnjë ide si shpëtova”/ Ministri indian i Brendshëm viziton britanikun e mbijetuar nga përplasja e avionit në Indi
Ministri i Brendshëm i Indisë, Amit Shah, ka vizituar sot të plagosurit nga përplasja tragjike e avionit të Air India në Ahmedabad, përfshirë edhe britanikun Vishwashkumar Ramesh, që besohet të jetë i vetmi person i mbijetuar nga bordin e avionit.
Pamje të transmetuara nga agjencitë e lajmeve treguan momentin kur ministri Shah qëndron pranë shtratit të Vishwashkumarit në spital, ndërsa mjekët dhe familjarë ndodhen përreth.
Sipas BBC, Ramesh ka folur më herët për gazetarët nga dhoma e tij e spitalit, ndërsa një intervistë tjetër u zhvillua me të afërm të tij në Leicester të Anglisë.
“Nuk kam asnjë ide si dola nga avioni”
Vëllai i Vishwashkumar Ramesh, Nayankumar, 27 vjeç, deklaroi për gazetarët jashtë shtëpisë së familjes në Leicester se nuk mund të përshkruajë tronditjen kur mësoi se vëllai i tij kishte mbijetuar përplasjen.
“Ishim të tronditur sapo morëm lajmin. Vishwashkumar më tha: ‘Nuk kam asnjë ide si dola nga avioni.’”
Një tjetër i afërm, Jay, tregoi se Vishwashkumar kishte folur me të atin dhe i kishte kërkuar informacione për vëllain e tij Ajay, i cili gjithashtu dyshohet se ndodhej në bordin e avionit tragjik.
Sipas dëshmive të familjes, Vishwashkumar ka dëmtime në fytyrë dhe ishte i mbuluar me gjak, në momentin kur u gjet nga ekipet e shpëtimit dhe u dërgua në spital.
“Kështu na tha babai i tij. E kanë marrë urgjentisht dhe tani është në trajtim,” tha Jay për mediat britanike.
Një nga përplasjet më të rënda ajrore të dekadës
Avioni i kompanisë Air India, që ishte nisur nga Ahmedabad me destinacion Londrën, u rrëzua pak minuta pas ngritjes duke shkaktuar të paktën 290 viktima. Ende nuk është bërë e ditur saktësisht numri i viktimave që ndodheshin në avion dhe atyre në tokë, pasi mjeti fluturues u përplas në një zonë të banuar.