Nuk ka shtyrje afati për regjistrimin e diasporës, KQZ mbyll procesin në mesnatë

Afati për regjistrimin e emigrantëve në zgjedhjet e 11 majit përfundon sot në mesnatë, pasi Komisioni Rregullator nuk ra dakord për shtyrjen e tij. Me tre vota kundër dhe dy pro, kërkesa për zgjatjen e afatit u rrëzua, duke lënë të papërfshirë dhjetëra mijëra aplikantë të refuzuar.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani 42.300 shqiptarë jashtë vendit janë refuzuar për regjistrim dhe nuk do të kenë një mundësi tjetër për të plotësuar të dhënat e tyre.

Kërkesat për shtyrje

Një kërkesë për zgjatjen e afatit u bë nga dy anëtarët e Komisionit Rregullator, Helga Vulaj dhe Muharrem Cakaj, të cilët propozuan pesë ditë shtesë për regjistrim dhe tre ditë për shqyrtimin e aplikimeve.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi shtyrjen e afatit deri më 9 mars, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për urdhër politik ndaj KQZ-së për të mos miratuar zgjatjen. Sipas Berishës, ky vendim përjashton nga votimi qindra mijëra emigrantë që kanë dokumente të skaduara.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste u shpreh kundër një shtyrjeje të përgjithshme, por pranoi të diskutonte për një mundësi për të rishqyrtuar aplikimet e refuzuara. Megjithatë, edhe kjo masë nuk mund të realizohet pa dakordësinë e Partisë Demokratike.

Në këto kushte, afati për regjistrimin e emigrantëve do të përfundojë në mesnatë, duke mbyllur përfundimisht procesin për zgjedhjet e 11 majit.