Përplasja mes Kylian Mbappe dhe ish-klubit të tij Paris SG-së është përfundimtare dhe me sa duket nuk ka rrugë kthimi. Që do të thotë se me shumë gjasa, palët do të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre vetëm në dyert e gjykatës.
Në një deklaratë, lojtari i Realit të Madrid refuzoi të pajtohej m PSG-në pasi Liga Profesioniste e Futbollit në Francë, në takimin me avokatët e tij këtë mëngjes, i kërkoi atij që ta bënte këtë për të shmangur referimin e procedurës tek autoritetet gjyqësore.
Sulmuesi aktual i Realit të Madridit kërkon 55 milionë euro nga PSG-ja si shpërblime dhe paga të papaguara nga sezoni i kaluar, ndërsa klubi pretendon se futbollisti u premtoi se do t’i falte ato në vitin 2022, pas një takimi me presidentin Al Khelaifi, një angazhim verbal.
Por me sa duket nuk është plotësisht kështu. Nëse nuk ka ndonjë surprizë të minutës së fundit, të dyja palët do të thirren nga autoritetet gjyqësore për të paraqitur pretendimet e tyre përkatëse.
Në lidhje me këtë cështje është duke u marrë vetë UEFA, e cila në vijim pritet të kërkojë një informacion më të detajuar nga kampionët e Francës, që me gjasa do të duhet ta shlyejne sa më shpejt lojtarin. Kujtojmë që Mbappe u largua nga PSG pak muaj më parë, ndërsa firmosi me Los Blancos.