“Nuk iu përgjigjem”, Dumani: Respektojmë vendimin e gjykatës për Metën!

Kreu i SPAK, Altin Dumani foli sot me gazetarët, ku iu përgjigj një sërë pyetjesh nga Olsi Rama dhe Meta, por edhe arrestimi i të shumëkërkuarve.

Vendimi i gjykatës që e liroi Berishën për shkak të fushatës zgjedhore, a mund të ndiqet i njëjti rast edhe me Ilir Metën?

Dumani: Ne nuk kemi ndjeshmëri dhe respektojmë vendimin e gjykatës. Ne jemi prokurorë zbatues të ligjit, dhe kur një vendim gjykate nuk na duket në përputhje me ligjin, kemi të drejtën e ankimit në një gjykatë më të lartë. Sa i takon çështjes në fjalë, masat tona janë gjetur të drejta. Gjykata Kushtetuese i dha fund debatit për masën e sigurimit, pa kërkuar autorizim nga Kuvendi.

Çështja e ekstradimit të Durim Bamit.

Dumani: Përgjegjës për ekstradimet nuk jemi ne, por Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme përmes Interpolit. Roli ynë është të bëjmë gati provat dhe t’ua dorëzojmë Ministrisë së Drejtësisë. Për çështjen e ekstradimeve, nuk kemi komunikime të drejtpërdrejta me gjykata të huaja.

Çështja e Olsi Ramës.

Dumani: Ne kemi dhënë përgjigjen zyrtare. Është hetuar përfshirja e mundshme e Olsi Ramës pas informacioneve të deputetit Gazmend Bardhi. Pas hetimeve, prokurori ka vendosur pezullimin e çështjes, pasi nuk janë identifikuar persona të përfshirë.

Publikimi nga opozita i informacioneve që ishin të ndaluara për publikim.

Dumani: Të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe secili mban përgjegjësi.

A do të bëjë SPAK arrestime gjatë kohës së fushatës?

Dumani: Ne nuk kushtezohemi nga fushata zgjedhore. Ligji na detyron që sa herë të vihemi në kontakt me shkelje të ligjit, të veprojmë. Ne jemi në shërbim të ligjit.

A keni raste të pasurive që janë sekuestruar jashtë vendit për llogari të SPAK?

Dumani: Ne dërgojmë letërporosi autoriteteve të huaja kur kemi informacione për procedime që janë nën hetim nga ne. Po ashtu, bëjmë kërkesa për ndihmë juridike. Deri më tani, nuk kemi pasur raste të pasurive që janë sekuestruar jashtë pas hetimeve që ne kemi kryer.

Çështja Toyota Auris.

Dumani: Kur provojmë që dikush ka përdorur sky ecc, për ne është shumë e thjeshtë, por kur flitet për palë të treta, bëjmë një punë shumë të madhe pasi duhet të gjejmë prova për ato që thuhen. Të gjithë janë trajtuar njëlloj. Çdo person është duke u hetuar.

Aplikacioni Matrix.

Dumani: Nuk mund të ndajmë të dhëna. Ne si institucion jemi bashkëpunues dhe të besueshëm për agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit. Ne jemi duke bashkëpunuar.

Komenti i Ramës për sekuestrimin e portit të Pashalimanit.

 

Dumani: Nuk u përgjigjem komenteve politike, pavarësisht se nga kush vijnë.