“Nuk ishte ajo që më shkruante” – Nëna e Ilarias tregon si e kuptoi që vajza e saj ishte vrarë nga ish i dashuri

Misteri i zhdukjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Romë mori një kthesë tragjike, pasi trupi i saj u gjet brenda një valixheje në një zonë pyjore.

Policia italiane ka arrestuar ish të dashurin e saj, Marc Samson, një 23-vjeçar filipinas, i cili dyshohet se e ka vrarë me thikë dhe më pas ka tentuar të fshehë krimin duke përdorur telefonin e viktimës për të dërguar mesazhe dhe bërë postime në rrjetet sociale.

Nëna e Ilarias, Gëzime Sula, ka rrëfyer momentin kur e ndjeu se diçka e keqe i kishte ndodhur vajzës së saj. “Menjëherë e kuptova që diçka nuk shkonte. Mesazhet që më dërgonte nuk i ngjanin aspak mënyrës së saj të të shkruarit. Ajo gjithmonë komunikonte me ne me video, por këtë herë, nuk pranonte të bënte një thirrje. E ndjeva që nuk ishte ajo…”, tha e ëma mes lotësh.

Ilaria, e cila studionte në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ishte zhdukur që prej 25 marsit. Shoqet me të cilat ajo ndante apartamentin u alarmuan kur ajo nuk u kthye në shtëpi atë natë dhe nuk iu përgjigj mesazheve. Ato kontaktuan menjëherë prindërit e vajzës, të cilët udhëtuan nga Terni për të bërë denoncimin në polici. “Nuk na tha asgjë para se të dilte. U largua pa kthyer kokën pas… Dhe më pas, asnjë lajm prej saj”, treguan mikeshat e Ilarias për mediat italiane.

Policia italiane beson se vrasja ka ndodhur në apartamentin e Marc Samson, në lagjen Via Homs, ku po kryhen hetime të detajuara për të zbuluar prova të mëtejshme. Dyshohet se i riu e ka qëlluar me thikë për vdekje pas një sherri dhe më pas ka transportuar trupin në zonën pyjore ku u gjet. Autoritetet po analizojnë tabulatet telefonike të 23-vjeçarit, të cilat e kanë “tradhtuar” atë, duke treguar se pas zhdukjes së Ilarias, ai kishte përdorur celularin e saj për të krijuar alibinë se ajo ishte ende gjallë.

Familja e saj, e tronditur nga tragjedia, ka bërë thirrje për drejtësi. “Nuk mund ta besojmë… Vajza jonë ishte plot jetë dhe ëndrra. Kjo nuk duhet t’i ndodhë askujt”, tha i ati, ndërsa nëna e saj përsëriste mes lotësh: “Do të doja që të ishte një ëndërr… por nuk është”.

Hetimet vijojnë për të zbuluar të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje makabre, ndërsa Marc Samson është vënë në pranga dhe do të dalë së shpejti para gjykatës për t’u njohur me akuzat ndaj tij.