Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një deklaratë të fortë sot në Kuvend gjatë mocionit me debat për çështjen “McGonigal”.
Ai tha se e gjithë qeveria shqiptare është nën hetim nga autoritetet amerikane dhe personat e lidhur me të janë mbajtur të gjithë nën përgjime.
Ish-kryeministri theksoi se nga përgjimet e e-maileve, dhe telefonave janë zbuluar veprimtaritë e paligjshme të zyrtarëve të qeverisë.
”Unë dua të informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të drejtësisë së SHBA. Njëri daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate, për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës. Për të hetuar çdo telefonatë, çdo SMS, çdo email, çdo lloj komunikimi që ai ka pasur me cilindo në botë.
Por, ky urdhër u përfshinë të gjithëve ju: të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri tjetër. Pra, jeni të gjithë të hetuar. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe çdo person i lidhur me të, përfshirë dhe jo kufizuar, kryeministrin e Shqipërisë. Pra, secili prej jush jeni nën hetim, ndaj më mirë mendoni se nuk do shpëtoni.
E pamundur që ju në të gjithë ato komunikime, të mos keni kryer vepra të përbashkëta me Edi Ramën”, tha Berisha.